Një tragjedi detare ka tronditur sot qytetin bregdetar të Vlorës ku tre persona janë mbytur pasditen e sotme në plazhin e Zvërnecit .

Burime policore bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:30.

Të tre trupat e të mbyturve janë nxjerrë nga deti. Viktimat janë dy vajza nga Vlora dhe një djalë nga Maqedonia.Dy vajzat kishin lidhje familjare me njëra-tjetrën.

Mësohet se mosha e tyre është nga 20 deri në 30 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake mësohet djali kishte hyrë në det për të ndihmuar vajzat por ngjarja ka rezultuar fatale për të tre.

“DuaLajm.com” mëson se në vendin ku ndodhi tragjedia mungojnë kullat e vrojtimit.

Njoftimi i Policisë
“Më datë 16.07.2017, rreth orës 14:30, është marrë njoftimi paraprak se në plazhin e Zvërnecit po rrezikoheshim të mbyteshin në ujë 2 shtetas.
Menjëherë shërbimet e policisë kufitare dhe ato vendore janë nisur në afërsi të vendit të ngjarjes pranë zonës së Portonovës, me ndihmën e mjeteve lundruese në ndihmë të personave por nuk është bërë i mundur shpëtimi i tyre.

Si pasojë, janë mbytur 3 shtetas: dy shtetase të seksit – femër dhe një tjetër i seksit – mashkull.Policia ka bërë të mundur nxjerrjen nga uji të tre trupave të shtetasve të mbytur.

Policia po punon për identitetet e tyre të plota. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet në lidhje me përcaktimin e shkaqeve dhe sqarimin e rrethamave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

LEXO EDHE:  FOTO/ Gjendet një varkë e braktisur në Vlorë, brenda saj zbulohet një letër ku shkruhet se...

Por para tragjedisë në Zvërnec një tjetër ngjarje tronditi Vlorën paradite.

Një 14-vjecar ndërroi jetë sot paradite në spitalin rajonal të Vlorës ku është dërguar në gjendje të rëndë pasi rrezikoi të mbytej në det.

Policia bën të ditur se, rreth orës 10:00, në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë, përballë shkollës së Marinës, një shtetas ka rrezikuar të mbytej në det dhe është transportuar për në Spitalin Rajonal Vlorë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dyshohet se bëhet fjalë për një të ri të moshës 14-vjeçare, për të cilin rreth orës 10:10, Spitali ka konfirmuar se ka ndërruar jetë.

“DuaLajm.com” mëson se i mituri quhet Endri Bejkotaraj, banues në lagjen 10 Korriku, në qytetin e Vlorës.