Trajneri i ri i Shqipërisë, Eduardo (Edi) Reja, nuk është një italian “puro”. 73-vjeçari ka lindur në fshatin Loçnik, që ndodhet në periferi të qytetit slloven, Gorica, pranë kufirit me Italinë. Babai i Rejës ishte slloven, ndërsa nëna e tij ishte italiane. Megjithatë, jeta e trajnerit që u zyrtarizua dje në pankinën kuqezi është lidhur vetëm me Italinë.

Ai është në gjendje të flasë edhe gjuhën sllovene, por jo aq rrjedhshëm sa atë italiane. Reja njihet në vendin fqinj si një mik i ngushtë i legjendës së trajningut italian, Fabio Kapelo. Me këtë të fundit u njoh që në vitet ’60, kur të dy luanin në mesfushë te SPAL. Reja është martuar me gruan e tij Livia në vitin 1969, teksa mediat italiane raportojnë një histori interesante për këtë lidhje. Ai e njohu për herë të parë Livian ndërsa ishte në dhomë me Fabio Kapelon gjatë një grumbullimi në Ferrara, kur të dy luanin me SPAL 1907. Në Serinë A si futbollist Reja numëron 124 ndeshje të luajtura deri në vitin 1975, kur dhe u tërhoq nga futbolli për të nisur trajningun .