Nuk kanë fund problemet për Real Madrid. Pas paraqitjeve të dobta në miqësoret e verës, Zinedine Zidane ka marrë një lajm të keq në prag të ndeshjes së parë në sezonin e ri të La Liga. Eden Hazard duhet të shtyjë debutimin në kampionatin spanjoll, pas një dëmtimi të pësuar në stërvitje.

Në këtë mënyrë, blerja më e bujshme e merkatos për klubin madrilen do të mungojë në ndeshjen e së shtunës kundër Celta Vigo. Lajmi konfirmohet me anë të një njoftimi për mediat shpërndarë nga “los blancos”. Bëhet fjalë për një dëmtim në kofshën e këmbës së djathtë, që kërkon nga 3-4 javë kohë për t’u rikuperuar.