Të hënën Turqia u zotua se lufta kundër shtetit Islamik nuk do të ngadalësohet, edhe pas tërheqjes së SHBA-ve nga Siria, ku rebelët e mbështetur nga Ankaraja përforcuan pozicionet e tyre rreth qytetit të Manbij.

Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit Tayyip Erdogan hodhi poshtë shqetësimet se tërheqja e urdhëruar nga Presidenti i SHBA Donald Trump do të lejonte Shtetin Islamik të rifitonte territorin e humbur në Siri, gjatë këtyre viteve të betejës.

“Si pjesë e koalicionit global për të mposhtur ISIS, ne do të dëshironim të shprehim përsëri se nuk do të lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë në tokën siriane, tokën e Irakut ose tokën turke”, tha Kalin në një konferencë shtypi. Ai shtoi se nuk do të ketë përçarje apo ngadalësim të luftës kundër grupit militant.

Donald Trump dhe Tayyip Erdogan ranë dakord në një telefonatë të dielën për të vendosur një koordinim ushtarak dhe diplomatik për të parandaluar një vakum të fuqisë që të zhvillohet pasi do të tërhiqen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Turqinë këtë javë do ta vizitojë një komision i zyrtarëve të SHBA, për të diskutuar hollësitë e tërheqjes me homologët e tyre, tha Kalin duke shtuar se Turqia do rriste koordinimin me Rusinë në Siri.

Turqia ka mbështetur rebelët që luftojnë kundër Presidentit sirian Bashar al-Assad, i cili mbështetet nga Rusia.