Damir Yusupov, piloti që ka kryer uljen urgjente të aeroplanit të kompanisë, Ural në një fushë misri afër Moskës, ka thënë se nuk ka qenë i frikësuar teksa të dy motorët e aeroplanit janë përfshirë nga zogjtë. Madje thotë të mos ketë pasur kohë për diçka të tillë.

Një ditë pasi ai është kthyer në hero, për vendimin që ka marrë për ulje të aeroplanit, Yusupov, u ka thënë gazetarëve më 16 gusht se mundësia e tij e vetme ka qenë që të kryejë uljen në një fermë afër aeroportit Zhukovsky, teksa ka pasur 233 persona në bord.

“Nuk jam frikësuar. Kam bërë atë që është dashur të bëhet. Kam ruajtur aeroplanin, pasagjerët, ekipin. Unë mendoj se ai ka qenë vendimi i vetëm. Nuk mendoj se jam hero”, ka thënë ai me modesti.

Zyrtarët e emergjencës kanë thënë se 74 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas uljes së aeroplanit, derisa ministria e Shëndetësisë ka thënë se 23 persona janë dërguar në spital për shkak të plagëve që kanë marrë.

Pas një kohe të gjithë janë liruar nga spitali përveç njërit.

Yusupov dhe gjashtë anëtarët tjerë të ekipit janë përshëndetur menjëherë për veprimin e tyre, i cili është krahasuar me “Mrekullinë në Hudson” të vitit 2009, kur kapiteni, Chesley Sullenberger, ka ulur një aeroplan në lumin Hudson të Nju Jorkut, pasi një zog ka hyrë në motor.

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka nderuar me titullin “heronj të Rusisë” pilotin, Yusupov dhe Georgy Murzin, derisa anëtarët tjerë të ekipit i ka shpërblyer me çmimin për kurajo, për punën e tyre gjatë uljes urgjente.

Aeroplani ishte nisur nga aeroporti afër Moskës drejt Simferopolit, kryeqytetit të Krimesë së aneksuar nga Rusia më 2014.