Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Avdjol Dobin, administratorin 26-vjeçar të kompanisë “DH Albania”.

Kompania e cila fitoi tenderin me dokumenta të falsifikuara për Unazën e Madhe.

Avdjol Dobi është shpallur në kërkim policor që prej zbulimit të skandalit për “DH-Albania”.

Kompania Dunwell Haberman, ka fituar 18 milionë euro të tenderit për rindërtimin e Unazës së Madhe, duke krijuar imazhin e rremë se kjo kompani është 20 vjeçare dhe me eksperiencë në projektin e infrastrukturës. Kjo kompani në të vërtetë është themeluar në 25 qershor 2018, 2 muaj para zhvillimit të tenderit.

Në sistemin TIMS Dobi nuk rezulton të jetë larguar nga Shqipëria,por nuk i është përgjigjur 3 thirrjeve të prokurorisë për t’u paraqitur. Në lidhje me hetimet në Prokurori pak ditë më parë u mor në pyetje ish-kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro. Kujtojmë se pas zbulimit të skandalit, Autoriteti Rrugor Shqiptar pezulloi ndërtimin në lotin e parë tek Unaza e Re.