Vijon edhe mbrëmjen e sotme protesta e banorëve të Astirit, kundër projektit të ndërtimit të Unazës së Re.

Të vendosur të mbrojnë kauzën e tyr derisa thirrjet e tyre të dëgjohen, banorët  kanë hedhur akuza ndaj qeverisë, duke shprehur se nuk do të lejojnë prishjen e asnjë banese dhe se nuk do ta ndalin revoltën e tyre.

Madje, banorët kanë arritur deri aty sa të paralajmërojnë kryeministrin Rama se e ka mbushur kupën, dhe se ai nuk di të mbajë fjalën.

“Ne jemi shembulli i gjithë Shqipërisë se kemi 75 ditë që luftojmë për shtëpitë tona. Jo nga Kamza, por edhe nga Saranda do vimë këtu ta tërheqim zvarrë Edi Ramën se e ka mbushu kupën.

Do t’na fusin në konflikt për një arsye vërtet madhore që të mbushë xhepat Edi Rama. Këtu po protesojmë, këtu është puna jonë. Në Unazën e Re vendosim ne, vendos sofrani. Por ti nuk di të mbash fjalën se je femër”, – tha njëri prej banorëve, për kamerat e mediave.

Ndërkohë në mbështetje të tyre kanë shkuar dhe deputetë të Partisë Demokratike, ku fjalën e mori Klevis Balliu.

Balliu u shpreh se pa anulimin e projektit nuk do të ketë asnjë hap.

“Të dashur qytetarë siç kishim lajmëruar këtu do japin llogari. Seancën e fundit parlamentare nuk donin diskutime se e dinim që do flisnim për aferën korruptive të Unazës së Re. Ku më mirë sesa këtu në këtë shesh që ne e kemi bërë shesh heroik. Pa anulimin e projektit nuk do të ketë asnjë hap nga kjo qeveri. Ndërkohë që ky zotëria kërkon negociata me studentët, bën sikur bën pseunegociata me disa banorë të Astirit, por me sovranin nuk ka negociata. Ku nuk ka parlament dhe institucione, nuk mbetet gjë tjetër veçse revolta”, – u shpreh Balliu.