Presidenti i vendit Ilir Meta, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës u shpreh se rasti i “Unazës së Re” në Tiranë është ndjekur nga procedura ekstraligjore që sipas tij nuk tregojnë për një vend ku sundon ligji, por tregojnë një vend ku sundon shumica.

“Nё mos gaboj, sot bёhen 100 ditё nga fillimi i protestave dhe unё si President, pa patur asnjё paragjykim pёr shkak tё problemit publik dhe protestave tё vazhdueshme tё transmetuara nga tё gjithё mediat, dhe tё kёrkesave tё qytetarёve, kam ushtruar pёrgjegjёsitё e mia, kam kёrkuar informacione nё mёnyrё tё vazhduar, nё mёnyrё tё përsëritur. Bazuar nё ligjet e shtetit pёr informim ndaj çdo qytetari dhe zyrtari, po duke u bazuar edhe nё Kushtetutёn e vendit, institucionet janё tё detyruar tё japin informacione dhe pёrgjigje Presidentit pёr çdo kёrkesё dhe pёr çdo shqetësim, e nё fund fare kam qenё i detyruar tё mbaj njё qёndrim, pasi kam krijuar njё bindje, pёr tё cilёn jam shprehur publikisht dhe tё cilёs vazhdoj t’i qёndroj me bindje tё plotё: Shpikje tё tilla jashtё legjislacionit qё vendi ynё ka, jashtё rendit tonё juridik dhe kushtetues nuk tregojnё pёr njё vend, ku sundon ligji, por tregojnё thjesht pёr njё vend ku sundon shumica”-u shpreh Meta, ndërsa theksoi se ky ёshtё njё koncept qё nuk ka lidhje me shtetin e sё drejtёs.

LEXO EDHE:  Protesta/ Presidenti Meta bën thirrje: Ruani qetësinë

“Ky ёshtё njё koncept qё nuk ka lidhje me shtetin e sё drejtёs, pёr mё tepёr qё jemi nё qendёr tё vёmendjes pёrsa i takon respektimit tё ligjit, pёrsa i takon rregullave tё opinionit publik, pёrsa i takon çёshtjeve tё konkurrencёs edhe nga partnerёt ndёrkombёtarё. Reflektimi ndaj kёsaj çёshtje mendoj se ёshtё nё interes tё publikut, ёshtё nё interes tё vet qeverisё edhe tё pёrmirёsimit tё perceptimit pёr seriozitetin qё kemi nё zbatimin e ligjit nё vend pёr tё ardhmen.” theksoi Meta.