Deputeti i Partisë Socialiste të Qarkut të Durrësit, Rrahman Rraja, mohoi dje akuzat e ngritura nga ish-nënkomisari i Stacionit të Policisë së Fushë-Krujës.

Duke folur për “Panorama”, deputeti Rraja shprehet se nuk e ka takuar asnjëherë oficerin e policisë Emiljano Nuhu, ndërsa i cilësoi akuzat e bëra ndaj tij si sajesë.

Ai tregon dhe precedentin e djalit të tij që e lidh me Stacionin e Policisë së Fushë-Krujës. Deputeti socialist tregon se ka pasur një denoncim nga një vajzë, me të cilën ka pasur një lidhje dhe është ndarë.

E nxitur nga xhelozia, sipas tij vajza ka bërë në polici një denoncim për përdhunim, të cilin më pas e ka tërhequr. Madje, sipas tij, vajza të nesërmen e denoncimit iu përgjigj dhe akuzave për përdhunim të bëra nga ish-Kryeministri Berisha, duke deklaruar se familja Rraja është një familje e nderuar në Krujë dhe nuk meritonte ato akuza.

Sipas deputetit, kjo marrëdhënie xhelozie mes djalit dhe vajzës është zgjidhur mes tyre dhe nuk kanë pasur asnjë problematikë tjetër me Policinë dhe ligjin.

Rrahman Rraja mohon kategorikisht akuzat se në Stacionin e Policisë ai ka qenë bashkë me vëllanë dhe persona të tjerë siç e akuzon ish-nënkomisari i stacionit të Policisë, Emiljano Nuhu.