Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, është nga politikanët më aktiv nga kjo parti me çështjet dhe zhvillimet më të fundit dhe mesa duket nuk mbetet pas as me ironitë e tij ku këtë herë me një status në “Facebook” ka ironizuar Eurobarometrin e BE-së.

Eurobarometri ka publikuar sot rezultatet e një ankete ku shqiptarët i nxori të kënaqur me situatën ekonomike të vendit të tyre. Studimi thekson se 55% e shqiptarëve duken të kënaqur dhe optimistë me gjendjen ekonomike dhe sipas Vasilit këto barometra “punojnë me zhivë dhe kjo zhiva e eurobarometrit do të jetë me siguri e përzierë me kanabis, nga ajo që trazon mendjen dhe xhepat e disave”.

Postimi i Vasilit në Facebook
Eurobarometri na tregon se shqiptaret na qenkan shumë të lumtur, sepse janë shumë të varfër.
Eurobarometri na thotë edhe që megjithëse janë tre herë e kusur më të varfër se europianet, prapë së prapë shqiptarët qenkan shumë të gëzuar që janë kaq të varfër. Barometrat punojnë me zhivë dhe kjo zhiva e eurobarometrit do të jetë me siguri e përzierë me kanabis, nga ajo që trazon mendjen dhe xhepat e disave….Gallupi na thotë qartë, që shqiptaret duan të ikin në masë nga Shqipëria, por Gallupi përdor zhivë të pastër me sa duket.