Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka bërë me dije se këtë vit do të hidhen themelet për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet.

Në gjimnazin “Ismail Qemali”, Veliaj, inspektoi mjediset e rikonstruktuara.

“Jam shumë i lumtur që ia mbërritëm kësaj dite, që shkolla “Ismail Qemali” të hidhej në tokë e të ringrihej nga e para, tamam si një feniks për këtë vit të ri. Të gjithë nxënësit të cilët me shumë mirëkuptim kanë “bujtur” në shkollat e tjera, sot kanë një ambient fantastik të rinovuar, duke filluar nga fushat. Është ndër të vetmet shkolla që ka edhe fushë tenisi, edhe volejbolli, edhe futbolli e basketbolli, ka një palestër, ka një sallë force, ka gjithë ndriçimin LED, ka një ngrohje me pelet. Një nga arsyet pse kemi një mbipopullim në këtë shkollë është kryesisht prej cilësisë, megjithatë hapja e shkollave të reja dhe fillimi i 17 themeleve për 17 shkolla të reja do të ulë edhe këtë presion. Jam i lumtur që edhe “Ismail Qermali”, brenda këtij viti, do të shkojë në parametrat normalë të raportit të nxënësve me mësuesit; pra, klasa të përballueshme dhe jo të mbingarkuara. Hapja e shkollave të reja do të kërkojë bashkëpunim me prindërit, që fëmijët të regjistrohen ku e kanë shkollën e tyre më të afërt”, tha Veliaj.

LEXO EDHE:  Erion Veliaj shpjegon arsyet që e detyruan të rrisi çmimin e ujit për kryeqytetasit