Vendi më i shenjtë i myslimanëve, Meka, është goditur nga një murtajë e karkalecave, duke i detyruar pastruesit të veprojnë për t’i larguar insektet.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë disa pamje ku shihen insektet që kanë “pushtuar” Xhaminë e Madhe në Mekë, e cila pret çdo vit miliona pelegrinë myslimanë.

Ato shihen teksa fluturojnë mbi kokat e mirëmbajtësve të ambjentit të Xhamisë, ndërsa depërtojnë nëpër muret e vendit të shenjtë.

Autoritetet e Mekës publikuan në rrjetet sociale pamje nga dekontaminimi i vendit, ku pastruesit të veshur me maska në fytyrë nisën spërkatjen me insekticide, shkruan “DuaLajm.com”.

Zyrtarët arabë thanë se insektet u identifikuan si “karkaleca të zinj”.

“Ekipet e specializuara po punojnë fort për të eleminuar këto insekte”, deklaruan autoritetet e Mekës, ndërsa theksuan se 138 persona të ndarë në 22 ekipe dhe me 111 pajisje, po punojnë për zhdukjen e karkalecave.

Disa nga besimtarët myslimanë e kanë cilësuar si ogur të zi këtë ngjarje të paprecedentë në vendin e shenjtë.