Kampioni në fuqi i Premier Leagues, Manchester City, e ka nisur me mënyrën e duhur sezonin e ri, duke triumfuar me rezultatin 0-2 në “Emirates Stadium”, përballë Arsenalit.

Në sfidën më të rëndësishme të javës së parë, Unay Emery nuk arriti të shijojë debutimin e tij në kampionatin anglez, pavarësisht lojës së mirë të londinezëve.

Ishte Raheem Sterling që kaloi skuadrën e Guardiolës në avantazh, që në minutën e 14’, pasi shënoi një gol të cilin e “gatoi” falë aftësive individuale, duke kaluar disa kundërshtarë.

Dyfishimi erdhi në pjesën e dytë, me anë të portugezit Bernardo Silva, që u lirua në zonë dhe gjeti trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Petr Cech.

Manchester City mund të kishte shënuar edhe më shumë, nëse sulmuesit do të ishin treguar më racionalë, pasi Arsenali la shumë hapësira, duke u hedhur në sulm.

Nga ana tjetër, “Topçinjtë” bënë një qarkullim të mirë të topit dhe treguan një nivel të kënaqshëm, por çaluan në fazën sulmuese, ku si Aubameyang, ashtu edhe Laccazette, nuk arritën të tregohen të rrezikshëm.

Me këtë sfidë është mbyllur edhe java e parë e kampionatit anglez, ku 8 nga skuadrat arritën të dalin me 3 pikë dhe u regjistruan vetëm dy barazime.

Vlen të përmendet se përveç Arsenalit, që u dorëzua përballë Cityt, të gjitha pretendentet për pjesën e parë t renditjes, arritën të startojnë me fitore.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook