Gazetari iraken, i cili u bë i famshëm në vitin 2008, pasi hodhi këpucët e tij në drejtim të ish-presidentit amerikan George W.Bush gjatë një konference për shtyp në Bagdad, është një prej kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 12 majit në Irak.

Bëhet fjalë për Muntazer al-Zaidi, i cili ka premtuar se ai do të bëjë fushatë kundër korrupsionit dhe përçarjes që ka rrënuar vendin e tij.

Gazetari u bë i famshëm jo vetëm në Irak por edhe përqark Lindjes së Mesme, pas incidentit me Bush.

Ish-presidenti iu shmang dy herë këpucëve të hedhura ndaj tij, ndërkohë që Zaidi u dënua me 6 muaj në burg për sulm ndaj një udhëheqësi që vizitonte vendin.

Në atë kohë, incidenti përçau opinionin publik në Irak, pasi kishte nga ata që i dolën në krah, por dhe nga ata që e kundërshtuan.

Sipas Reuters, Zaidi do të kandidojë si anëtar i lëvizjes së klerikut shiit Moqtada al-Sadr, milicia e të cilit zhvilloi një fushatë të dhunshme kundër ushtrisë amerikane gjatë pushtimit të Irakut.

“Qëllimi dhe arsyeja e vërtetë përse po kandidoj, është që të zhduk të korruptuarit dhe t’i përjashtoj ata nga vendi im. Isha gazetar kur hodha këpucën drejt Bushit. Para asaj ngjarjeje, unë isha dhe ende jam kundër korrupsionit dhe pushtimit”, është shprehur Zaidi.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Edi Rama fillon e flet "përçart", shfaq gjendjen e rëndë psikologjike