Kanë përfunduar dy çerekfinalet e Champions League të luajtura mbrëmjen e sotme, ku spektakli dhe surprizat nuk kanë munguar.

Liverpool ka marrë një fitore fantastike me shifrat 3-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të “Champions League” kundër Manchester City-t.

Ekipit të drejtuar nga Kloop i ka mjaftuar vetëm pjesë e parë për hedhur një themel të fortë për ndeshjen e kthimit, ku pritet të sigurojnë edhe biletën për në gjysmëfinale.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 12-t nga i përhershmi Mohamed Salah i cili nuk fali nga brenda zonës. Pas vetëm 9 minutash ishte Chamberlain që demonstroi të gjitha aftësitë duke realizuar nga larg.

Pritej reagimi i skuadrës së Guardiolës, por në këtë sfidë, të paktë në pjesën e parë dukej sikur ‘motorët’ i kishte të fikur. Ishte Mane në minutën e 31-t që realizoi me kokë golin e tretë, duke ‘vulosur’ kapitullimin e City-t. Edhe pse u përpoqën shumë në fraksionin e dytë të lojës ‘qytetarët’ nuk e gjetën golin.

Ndeshja e kthimit luhet të martën në “Etihad Stadium”, por të paktën në letër duket e pamundur një përmbysje rezultati.

Ndërsa Barcelona ashtu siç pritej ka marrë një rezultat mëse pozitiv në ndeshjen e parë çerekfinale të “Champions League” kundër Romës. Katalanasit falë edhe gabimeve të mbrojtjes italiane kanë fituar 4-1, duke hedhur një hap të sigurtë për fazën tjetër, ndonëse ndeshja e kthimit luhet në Romë.

LEXO EDHE:  Kualifikohen 5 skuadrat e para të play-off në Champions, Besnik Hasi, Hysaj dhe Ahmedi kualifikohen me skuadrat respektive

Italianët e mbajtën të paprekur portën deri në minutën e 38-t, atëherë kur De Rossi do të ngatërronte shënjestër duke dërguar topin në rrjetën e tij. Në fraksionin e dytë të lojës të njëjtin gabim si mesfushori do të bënte edhe Manolas, duke i dërguar shifrat në 2-0 për Barcelonën.

Pas 4 minutash do të ishte Pique që do të shënonte golin e tretë, duke bërë që katalanasit të ulnin ritmin. Nga kjo situatë përfitoi mësë miri Roma që shënoi një golin e nderit me Dzeko-n. Gjithsesi për të shënuar çdo shpresë të miqve nga Roma do të mendonte Suarez në minutën e 87-t duke vulosur edhe rezultatin përfundimtar të takimit.

Ndeshja e kthimit do të luhet të martën më 10 prill, në stadiumin “Olimpico” të Romës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook