Teksa jemi një ditë para mbledhjes së seancës së parë parlamentare të Kuvendit të Ri, kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot gjatë mesditës grupin parlametar të PS-së ku konfirmoi se Gramoz Ruçi do të jetë kryetari i Parlamentit me votat e shumicës së PS-së.

Në fjalën e tij,Rama dha një mesazh dhe për demokratët dhe Lulzim Bashën në lidhje me Gramoz Ruçin.

Gramoz Ruçi është shoku ynë pse është njeriu i duhur për të investuar besimin tonë. Nëse PD nuk e voton Gramozin nesër gabojnë një herë sepse refuzojnë deputetin më të jetëgjatë por duke shënjestruar me topat politike të baltës gabojnë 100 herë.

Shqiptarët e shpërfillin lojën me topa balte mes poltikanëve.

Sidoqoftë ne do ta konfirmojmë me votën e shumicës së 25 qershorit”, deklaroi Rama.

Ndër të tjera, Rama ndau dhe disa këshilla për deputetët e PS-së, ku theksoi se në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar disiplina e grupit do të jetë faktori kyç i legjislaturës.

“Puna e grupit fillon zyrtarisht nesër me seancën e parë të Kuvendit por do vazhdojë intensivisht jo vetëm në Kuvend, por edhe në terrenin ku skuadrat e deputetëve do të jenë të pranishme sic e kemi folur edhe më parë për të vijuar komunikimin me zgjedhësit. Është me rëndësi të nënvizohet se disiplina e grupit dhe qeverisë janë faktorë kyçë në këtë legjislaturë sikurse janë edhe shprehi elementare dhe e domosdoshme e punës së përbashkët në vijim”, u shpreh Rama.