Kryendeshja e javës së katër në Superligën e Shqipërisë mes Kukësit dhe Skënderbeut është mbyllur me fitoren e korçarëve duke marrë dhe kryesimin në renditje.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zeqir Ymeri” përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të Skënderbeut.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka shënuar e para, në minutën e 31 pas një asisti të Takut për Bruno Ditën.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kuksianëve, të cilët barazuan rezultatin pas 5 minutash pas një penalltie të shndërruar në gol nga Bakaj, dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e sfidës.

Në pjesën e dytë të dy skuadrat kanë luftuar për të shënuar golin e avantazhit, por në fund më me shumë fat ishte Skënderbeu i cili me anë të Sabien Lilajt shënoi golin e dytë në minutën e 83-të pasi goditi saktë një 11-metërsh.