Një 54-vjeçar ka përfunduar në pranga pas një aksioni të policisë.

Drejtuesi i mjetit u arrestua për veprën penale të korrupsionit aktiv.

Ai tentoi t’i shpëtojë masës administrative i ofroi punonjësit të policisë rrugore një kartëmonedhë me prerje 1000 lekë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të kontrolleve parandaluese dhe mbi bazën e detyrave të përcaktuara në planin Operacional “Tispol korrik 2018”, efektivët e Policisë Rrugore Tiranë, sot u fokusuan në kontrollin e rrugëve dytësore për mënyrën e parkimit të automjeteve dhe përdorimin e kaskave mbrojtëse nga përdoruesit e motomjeteve, duke evidentuar dhe ndëshkuar:

• 45 mjete për parkim të gabuar

• 22 drejtues mjetesh për mosrespektim të sinjalizimit rrugor vertikal dhe horizontal

• 67 drejtues motomjetesh për mospërdorim të kaskës mbrojtëse

Si dhe në rrugën “Kavajës”, u verifikua dhe u arrestua në kushtet e flagrancës për veprën penale të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, shtetasi me iniciale H.M., 54, vjeç, pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me sinjalizimin rrugor vertikal si dhe nuk iu bind shenjës së ndalimit të punonjësit të policisë rrugore. Gjatë kontrollit dhe verbalizimit të shkeljes, drejtuesi i mjetit me qëllim shmangien e masës administrative i ofroi punonjësit të policisë rrugore një kartëmonedhë me prerje 1000 lekë.

Policia Rrugore e Tiranës edhe në ditët në vijim do vijojë kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane të qarkut të Tiranës me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, si dhe ju bënë apel drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore horizontale e vertikale, të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të respektojnë limitet e shpejtësisë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin kaskat mbrojtëse si dhe t’i japin përparësi lëvizjeje në vijat e bardha këmbësorëve.

LEXO EDHE:  Një 66 vjeçar në pranga pasi plagosi me thikë një person

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook