Ballina Kuriozitet VIDEO/ Njihuni me akrobatin më të guximshëm në botë, kalon “Grand Canyon”...

VIDEO/ Njihuni me akrobatin më të guximshëm në botë, kalon “Grand Canyon” duke ecur mbi litar në 430 metra lartësi


Akrobati amerikan Nik Wallenda mund të cilësohet si akrobati më i guximshëm në botë pasi realizoi me sukses ecjen e rrezikshme mbi një tel në një pjesë që lidh dy shkëmbinj të lartë të “Grand Canyon” në Shtetet e Bashkuara.

Ai e kreu ecjen e frikshme mbi një tel në lartësinë rreth 430 metra mbi Lumin Kolorado në më pak se 23 minuta, pa rrjetë sigurie dhe ndërsa frynte një e erë, e cila lëkundte telin 5 centimetërsh prej çeliku, ku ai kalonte.

Teksa realizonte këtë akrobaci të rrezikshme, dëgjohej që ai lutej gjatë të gjithë kohës. Kur arriti në anën tjetër të shkëmbit, Wallenda puthi tokën, ndërsa spektatorët duartrokitën për suksesin e tij në këtë garë të rrezikshme. 

34-vjeçari Nik Wallenda, që vetëquhet “Mbreti i ecjes mbi tel në lartësi të mëdha”, është anëtar i një familjeje akrobatësh për shtatë breza, që njihet si “Walendat fluturues”.

Disa nga anëtarët e familjes së tij, përfshirë stërgjyshin, janë rrëzuar, duke humbur jetën gjatë garës.

Më parë, Wallenda, shënoi një ecje historike, duke u bërë personi i vetëm që ecën mbi tel në lartësitë e shkëmbinjve në të dy anët e Kataraktit të Niagarës.