Ditëve me diell siç duket u erdhi fundi, pasi rikthehen shirat për një pjesë të vendit. Sipas parashikimit të Meteoalb, duke nisur që nga pasditja e sotme në disa zona do të ketë reshje shiu, harta e të cilave do të zgjerohet përgjatë ditës së nesërme.

Hakil Osmani, sinoptikan pranë Meteoalb në një lidhje telefonike për ‘News24’ se temperaturat do të vijojnë të ulen, sidomos përgjatë fundjavës ku termometri do të shënojë 21-22 gradë celsius.

“Duke filluar nga dita e sotme, kemi pasur prezencë të shirave në disa territore shqiptare. Gjatë orëve të pasdites priten shira në një pjesë më të madhe. Dhe nesër do të kemi shira në thuajse gjithë territorin shqiptar. Do të jenë shira të vazhdueshme dhe jo me intensitet të lartë. Përsa i përket temperaturave do të kemi një ulje të tyre, si pasojë e pranisë së sistemit të vranësirave, ndërsa temperaturat do të shkojnë maksimumi deri në 24 gradë celsius. Ndërkohë, në fundjavë kemi një rënie të temperaturave, 21-22 gradë celsius”, tha Osmani.