Një sasi prej 70 kilogramë kanabis është sekuestruar gjatë natës në qytetin bregdetar të Vlorës. Sipas policisë lënda narkotike u zbulua në ambientet e një pallati në lagjen “Pavarësia”

Policia ka arrestuar shtetasin Nikolas Toçaj, 24 vjeç, banues në Vlorë.

Ky është njoftimi zyrtar i policisë:

“Më datë 06.06.2017, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjen “Pavarësia” Vlorë, pranë një marketi, Policia e Vlorës ka konstatuar dhe sekuestruar një sasi me lëndë narkotike në sheshpushimin e një pallati. Lënda narkotike u gjet e vendosur në 4 qese të zeza plastike, të mbështjella me natriban ngjyrë kafe, e cila pas peshimit në total ka rezultuar prej 70 kilogramë, e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva”

Gjithashtu, policia thotë se  në hyrjen e këtij pallati është gjetur dhe bllokuar një automjet tip furgon Ford, nën përdorimin e autorit të dyshuar, i cili dyshohet se do të përdorej për transportimin e lëndës narkotike.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit Nikolas Toçaj, në pallatin ku u gjet lënda narkotike si dhe u bë arrestimi i tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.