Arqipeshkvi i Mirditës, Don Gjergj Meta ka reaguar lidhur ngjarjen e rëndë që tronditi kryeqytetin dhe mbarë vendin, ku gjatë një atentati në Labrakë mbeti e vdekur 17-vjeçarja, Griselda Gjikolaj, me origjinë nga Mirdita.

Përmes një postimi në “Facebook”, ai shkruan se mediat duhet të kenë më shumë kujdes me informacionin që publikojnë.

Reagimi i Dom Gjergj Metës
Tragjedia e vajzës së vrarë mbrëmë na ka prekur të gjithëve. Vetëm 17 vjeç dhe me shumë dëshirë për të jetuar si të gjitha bashkmoshataret e saj. Informacioni është një e drejtë, por…

…mos ia vdisni nënën se e ka gjallë e as të atin mos e bëni me faj duke gënjyer se është larguar. Janë një familje normale e Shqipërisë dhe Mirditës tonë që janë larguar nga Kurbneshi për një jetë më të mirë në Tiranë ashtu si mijëra familje që nuk shohin një të ardhme aty.

Iliri dhe Drita janë prindërit e vajzës së vrarë dhe janë bashkë. Verifikoni përpara se të shkruani të dashur gazetarë. Mos vrisni dy herë. Respektoni familjen dhe dhimbjen e tyre. Mos ushqeni thashethemin e kureshtarëve epshorë vetëm për pak klikime duke thënë gjëra të pavërteta.

Pushofsh në paqe Griselda e Zoti i dhashtë forcë familjes!