“Ju flet Moska” me Kastriot Myftarajn solli në vëmendje në emsionin e sotëm (5 tetor) vrasjen e bankierit Artan Santo.

Në analizën e tij, Myftaraj thotë se ditën që u vra Santo është shpërndarë një kod mafioz në strukturat e policisë së shtetit, që motori i zi që vrau Santon mos të ndalohej.

Ai tha se “këshilltarja” e Santos, Ina Rama është personi më i afërt që mund të dijë diçka për motorin e zi. Myftaraj thotë se tani që ajo ka në dorë çelësat e vettingut duhet të zbulojë të vërtetën e motorit, në radhë të parë si dëshmitare dhe më pas si zyrtare e lartë.

Kastriot Myftaraj: Sa foli ambasadori amerikan për familje mafioze, për grupet kriminale, sa u dhanë udhëzime nga Brukseli dhe Uashingtoni për forcimin e luftës së kriminaliteti na u shfaq fantazma, si fantazmat që shfaqen në tragjeditë e Shekspirit.

Fantazma e Artan Santos, bankierit të vrarë.

Artan Santo ishte bankieri më i madh shqiptar. U vra në një mënyrë misterioze, në një vrasje e cila flet shumë për raportin që ka shteti, shoqëria jonë me krimin e organizuar  vendas dhe ndërkombëtar.

Para disa ditësh drejtori i hetimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimi tha se do të hetohen edhe çështje nga e kaluara, cështje të rënda kriminale, ndër të tjera edhe vrasja e Artan Santos.

A po heton vërtet shteti vrasjen e Santos siç thotë Niko Brahimi?

Nëse shteti do të hetojë vrasjen e Santos duhet të hetojë se kush e shpërndau atë ditë një kod mafioz në të gjithë strukturën e shtetit.

Në një kohë kur policia bëri fushatën për të bllokuar gjithë automjetet, gjithë motorët me parregullsi, ky motor i zi shëtiste lirisht nëpër Tiranë dhe përpara policisë sepse u shpërnda një kod mafioz që ky motor nuk duhej të prekej.

Një motor pa targa, me fuqi shumë të madhe motorike që i la pas si karroca kooperative të gjithë automjetet e policisë së shtetit.

Policia të hetojë kush e shpërndau këtë kod mafioz që motori i zi atë ditë mos të prekej. Sepse shoferi i motorit të zi dhe atentatori pas tij e dinin që atë ditë ishin të paprekshëm nga policia e shtetit dhe garda.

Ka një treguas të qartë për atë nëse kemi të bëjmë me një shtet mafioz ose jo. Shtetet ligjore që luftojnë krimin e organizuar i publikojnë fotografitë e atyre që janë në kërkim. Shqipëria është vendi ku shteti, qeveria, policia nuk publikojnë fotot e njerëzve që janë në kërkim.

Vetëm njëherë është ndërmarrë kjo nismë dhe kur u publikuan filluan njerëzit të telefonojnë dhe u anulua me presionin e krimit të organizuar.

Pra ka dhe një problem tjetër, ish-këshilltarja e Santos në postin e drejtuesit të bankës është sot në zyrat e larta të Vettingut.

Zonja Ina Rama, është paguar me paratë e kësaj banke dhe ka marrë një shumë të madhe. Pse i duhej bankierit më të madh të vendit një jurist penaliste? I duhej për atë problemin me motorin e zi. Nëse ka një njeri që Santoja ja ka treguar ça kishte me motorin e zi është kjo zonjë.

Kjo zonjë tani është në situatën kur ka në dorë edhe çelësat e vettingut dhe ta zbulojë të vërtetën e motorit të zi. Së pari si dëshmitare pastaj si zyrtare e lartë.