Vrasja e avokatit Ravik Gura në Elbasan, pati reagime të shumta. Dhoma e Avokatisë në Elbasan është mbledhur sot dhe ka vendosur të bojkotojë punën për 3 ditë.

Ata kërkojnë gjithashtu solidaritetetin e kolegëve në të gjithë vendin.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali të njohur në qendër të qytetit të Elbasanit rreth orës tetë të mbrëmjes dhe autori dyshohet se ka qene i maskuar. Viktima, Gurra, që njihet për mbrojtjen e çështjeve të bujshme si ajo e Çapajve dhe Shullazit, ka qenë i ulur në ambientet e lokalit jashtë kur është qëlluar pas koke. Ai ishte i shoqëruar me dy persona të tjerë në tavolinë, njëri prej tyre gjithashtu avokat. Autori që e ka qëlluar me pistoletë është larguar me një mjet që është gjetur i djegur në dalje të qytetit të Elbasanit. Policia ka ngritur postblloqe për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998. Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë. Përveç Shqipërisë, Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën e quajtur “Gurra & D”, ku kryesisht merrej me çështje të emigrantë shqiptarë në vendin ishullor.

HETIMET
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku ndodhen dhe shumë institucione publike. Gjithçka ka qenë shumë e shpejtë sa dhe miqtë e tij dhe dëshmitarë në ambientet e jashtme të lokalit kanë menduar se avokatit i kanë rënë të fiktë kur e panë të shtrirë në tokë.

LEXO EDHE:  Elbasan/ Ushtroi dhunë ndaj ish-bashkëshortes, pranga për 51-vjeçarin (Emri)

Por shumë shpejt është kuptuar nga gjaku që ai është vrarë. Akti ka qenë shumë i shpejtë dhe i mirorganizuar sa dëshmitarët nuk kanë mundur të bëjnë një identikit të autorit, i cili, duke përfituar nga errësira, është larguar me ecje të shpejtë. Dyshohet se një mjet tip “Benz” e ka pritur atentatorin jo shumë larg vendit të ngjarjes. Më pas, autorët kanë djegur makinën në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit për të zhdukur çdo gjurmë. Autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tij për shkak se në kokë ai mbante një kapele, gjë e cila bën që të mos i shquhet fytyra. Hetuesit kanë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit që autorët kanë përdorur për t’u larguar në mënyrë që të arrijnë në identifikimin e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ka dyshime të forta se autori është paguar, ndërsa konsiderohet vrasje për shkak të detyrës.