Marviol Bilo, komandoja që dyshohet se ka qëlluar për vdekje Fabiol Gaxhan dhe ka plagosur rëndë Elion Haton dhe Ervis Martinaj, ka shumë gjasa që të vetëdorëzohet në policinë e Tiranës. Bilo nga arratia ka kontraktuar një avokat dhe është pikërisht ky person që po negocion me prokurorinë, për të realizuar vetëdorëzimin e komandos, që akuzohet se shkaktoi masakrën në zonën e bllokut në Tiranë.

Në disa memo, të dërguara në prokurori nga avokati i Bilos, pretendohet se Marviol Bilo ditën e ngjarjes nuk ka pasur asnjë armë me vete, por ka qëlluar me pistoletën e pronarit të lokalit, Redi Popesku që në momentin e sherrit ndodhej në duart e Elion Hatos. Sipas të njëjtave burime, komandoja pretendon se ishte Gaxha ai që qëlloi i pari, por më pas arma i ishte bllokuar.

Në versionin e tij komando thotë se në këtë situatë ai ka marrë armën nga dora e Hatos dhe për vetëmbrojtje qëlloi në kokë Fabiol Gaxhën ndërsa plagosi Elion Haton dhe Ervis Martinajn. Sipas të njëjtës memo, pas ngjarjes Bilo është larguar drejt godinës së Kryesisë së Kuvendit, ka hyrë në rrugicën që të nxjerr te Ambasada e Kosovës dhe më pas ka kaluar pranë Gjykatës Kushtetuese, duke kapërcyer bulevardin Dëshmorët e Kombit ka shkuar tek zona e Piramidës. Diku afër ish-bar Mumja, pranë disa pemëve dekorative të lulishtes, ai thotë se ka hedhur armën, me të cilën ka qëlluar.

LEXO EDHE:  Dëshmia e Vis Martinaj, çfarë u tha prokurorëve për 120 minuta

Prokuroria e Tiranës e ka verifikuar këtë intenerar të përshkuar nga Marviol Bilo. Ai është vërtetuar edhe nga sekuestrimi i pamjeve filmike të Bashkisë së Tiranës dhe disa bizneseve të zonës. Ditën e diel, është realizuar një kontroll i imtësishëm i territorit, ku Bilo pretendon se ka hedhur armën me leje që e zotëronte Redi Popesku. Kujtojmë që ky i fundit deklaron se arma i ka humbur, por jo në këtë ngjarje.

Kontrolli është realizuar natën, dhe nga sa mësohet në këtë kontroll të terrenit, kanë asistuar nga afër Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj. Për disa orë është realizuar këqyrja e gjithë terrenit në zonën e Piramidës me shpresën e gjetjes së armës, por pa rezultat.