Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu kanë shkuar në Shkodër pak orë pas krimit të rëndë që i mori jetën dy vëllezërve Bilali.

Mësohet se ata po mbajnë një takim kokë më kokë me drejtorin e policisë së qarkut të Shkodrës, Vehbi Bushati.

Dy vëllezërit u ekzekutuan mëngjesin e sotëm, 30 mars 2019,  në oborrin e shtëpisë së tyre dhe dyshohet se autorët kanë qenë të maskuar dhe lëviznin me një automjet tip Benz që u gjet i djegur disa metra larg vendit të ngjarjes, ne zonën e Livadheve. Në shtëpinë ku ka ndodhur krimi ka patur kamera të instaluara që mendohet se kanë filmuar ngjarjen. Pritet që policia ti sekuestrojë dhe pamjet të mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Saga e vrasjeve në Shkodër pa autor për fat të keq ka shkuar në 11 viktima dhe ende policia dosjet i ka të hapura për vrasjet që në më pak se 2 vite goditën kryeqendrën e veriut.