Futbollisti shqiptar që luan për kombëtaren e Zvicrës, Xherdan Shaqiri ka rrëfyer për mediat zvicerane historinë e tij prekëse dhe vuajtjet që ka kaluar në Kosovë, kur ai ishte i vogël.

Ish-mesfushori i Bayern Munchen dhe Interit, që tani aktivizohet në “Premier League” te Stoke City, ka thënë se është rritur me futbollin dhe do të vazhdojë deri në fund me këtë sport.

Shaqiri ka treguar se si në fëmijërinë e tij në Zvicër ka jetuar vetëm pesë minuta larg fushave të futbollit, dhe kështu kishte filluar karriera e tij.

“Kam banuar vetëm pesë minuta larg fushave. Kjo ishte e përsosur për mua. Dhe kështu filloi gjithçka. Ndihesha i lirë, pa telashe. Luaja si një person i lirë, dhe kjo sigurisht ishte një hap i madh për mua”, shprehet Shaqiri.

Futbollisti shqiptar ka folur dhe për vendlindjen e tij, duke thënë se Kosova është një vend i varfër.

“Kam lindur në Kosovë, një shtet shumë i varfër. Nuk ka shumë vende pune dhe nuk ka shumë para. Shtëpia e xhaxhait tim ishte djegur, këtë e kam parë me sytë e mi. Kurse, shtëpia ime mezi po qëndronte në këmbë, por ata kishin vjedhur dhe shkatërruar gjithçka”, rrëfen Shaqiri.

“Ata kishin shkatërruar dhe vjedhur gjithçka që ishte brenda. Kishin vandalizuar edhe muret. Kur kthehemi atje pas luftës dhe shikojmë gjithë këto gjëra fillojmë t’i shihim gjërat ndryshe. Jam i lumtur këtu në Zvicër, ku jemi të sigurt dhe mund të jetojmë në paqe. Jam rritur me futbollin dhe do të vazhdojë deri në fund duke luajtur futboll. Është gjëja më e mirë që ka mundur të më ndodhë”, thotë 26-vjeçari nga Zhegra e Gjilanit.

LEXO EDHE:  Fshatrat me emrat më 'të pisët' në Shqipëri

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook