Seksioni kundër korrupsionit në Durrës ka arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili vidhte bagëtinë dhe e shiste.

Policia ka dokumentuar katër raste të dyshuara të kryera nga shtetasi i arrestuar H.A. 55 vjeç, banues në fshatin Shënvlash, Durrës, i cili ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë me qëllim shmangien e arrestimit.

Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Specialistët e Stacionit të Policisë Manëz pas një pune hetimore të mirëorganizuar kanë bërë të mundur vënien para përgjegjësisë penale të një shtetasi, i cili vidhte bagëtinë në zona të ndryshme të Qarkut Durrës dhe më pas ua shiste shtetasve të tjerë.

Ditën e djeshme, 55-vjeçari H.A. është kapur në flagrancë nga Punonjësit e Policisë Manëz duke i shitur gjënë e gjallë (një lopë dhe një viç) shtetasit L. P. banues në Rrushkull, të cilat kanë rezultuar të vjedhura.

Në momentin që është kapur nga uniformat blu, H.A. ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke i premtuar dhe u ka ofruar një shumë monetare, me qëllim për t’iu shmangur arrestimit.

Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova shkencore se shtetasi H.A. dyshohet si autor i ngjarjeve të mëposhtme:

*Më datë 08.01.2018, në fshatin Kullë, Durrës dyshohet se ka vjedhur një viç në kasollen e bagëtive të shtetases E.K.

LEXO EDHE:  Anëtari i PS hedh akuza të rënda ndaj drejtorit të Transportit në Durrës dhe Vangjush Dakos

*Më datë 26.02.2018, në fshatin Hamallë, Durrës dyshohet se ka vjedhur një lopë dhe një viç në kasollen e bagëtive të shtetasit Q.S.

*Më datë 28.02.2018, në fshatin Rrotull, Durrës dyshohet se ka vjedhur tre lopë në kasollen e bagëtive të shtetases F.K.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit:

L.P. 50 vjeç, banues në fshatin Rrushkull, Durrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale:

“Vjedhja”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike ” në ngarkim të shtetasit H.A. parashikuar në nenet 134 dhe 244  të Kodit Penal dhe

“Moskallëzimi i krimit” në ngarkim të shtetasit L.P. parashikuar në nenin 300 të Kodit Penal.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook