Një objekt misterioz në formë cigareje është vërejtur duke kaluar me shpejtësi të madhe përgjatë sistemit tonë diellor vitin e kaluar.

Ky objekt mund të jetë një objekt i dërguar nga jashtëtokësorët për të njohur planetin tonë, Tokën.

Kështu kanë deklaruar astronomët e Universitetit të Harvardit.

Sipas tyre ‘Oumuamua’, që në gjuhën e Hawaiit do të thotë ‘një i dërguar që vjen nga e kaluara e largët’ mund të jetë dërguar qëllimisht drejt hapësirës së planetit tonë nga një civilizim jashtëtokësorësh.

Ky objekt u zbulua në tetor të vitit të kaluar përmes teleskopit ‘Pan-STARRS 1’ i vendosur në Hawaii.

Që prej zbulimit të tij, shkencëtarët janë munduar që t’i shpjegojnë karakteristikat e tij të çuditshme dhe prejardhjen e saktë, pasi që në fillim shkencëtarët e quajtën atë kometë dhe pastaj asteroid, para se përfundimisht ta vlerësonin si objekt të një lloji të veçantë, një kategori e re e objekteve ‘ndër-yjore’.

Një publikim i ri nga shkencëtarët e Qendrës së Harvardit për Astrofizikë lë të hapur mundësinë që objekti me formë të zgjatur, i cili është 10 herë më i gjatë sesa i gjerë dhe i cili lëvizte më shpejtësi prej 190 mijë miljesh në orë, mund të ketë origjinë artificiale, që nënkupton se ndoshta nuk është krijuar natyrshëm.

Teoria mbështetet në shejtësinë e jashtëzakonshme të objektit si dhe në ndryshimet e befta të shpejtësisë gjatë lëvizjes për sa kohë qëndroi në sistemin tonë diellor (deri në në janar).

LEXO EDHE:  Pas 60 vite kërkimesh, krijohet ilaçi i parë kundër malarias

‘Duke pasur parasysh një origjinë të mundshme artificiale, ka mundësi që ‘Oumuamua’ të jetë një burim drite që lëviz në hapësirën yjore si një pjesë e ndarë e një pajisjeje të avancuar teknologjike’, shkruhet në sudimin e publikuar nga Abraham Loeb, profesor i astronomisë, dhe Shmuel Bialy, një ligjërues akademik.

Loeb ka publikuar katër libra dhe më tepër se 700 punime shkencore për çështjen e vrimave të zeza, të ardhmen e Gjithësisë, kërkimet për jetë jashtëtokësore dhe yjet e vjetra, shkruan ‘CNN’.