Një ditë përpara se të zhvillohen zgjedhjet në Partinë Demokratike ku kandidon kreu aktual, tashmë i ngrirë nga funskionet e tij dhe Eduard Selami, grupi anti-Basha do të bëjë edhe tubimin e fundit në Tiranë.

Mbledhja do të bëhet ditën e nesërme pasdite në orën 19:30 dhe do të transmetohet live në media.

Gjatë këtij tubimi do t’i bëhet thirrja e fundit dy kandidatëve për kreun e PD-së për anullimin e kësaj gare që sipas tyre po dëmton shumë Partinë Demokratike.

Ajo që vlen për t’u përmendur është se në tubimin e Tiranës, veç Patozit dhe Mustafajit që kanë qenë prezent gjatë të gjithë turit në Durrës, Korçë, Vlorë, do të jenë edhe figura të të tjera të larta të kësaj partie, si Majlinda Bregu, Ridvan Bode, Arben Imami etj.

“Ne në qytetet e tjera kemi dashur të japim mesazhin se kjo nuk është thjeshtë një lëvizje e të pakënaqurve dhe të përjashtuarve nga Basha që kanë një hatërmbetje me të, prandaj në tubimet e tjera shumë nga ish ministrat dhe funksionarët nuk kanë qenë prezent.

Ndërsa në tubimin e Tiranës do të jenë të gjithë për t’i kërkuar Bashës që mos e shpjerë çmendurinë deri në fund”  është shprehur një nga organizatorët.

Nga tribuna e takimit të nesërm thuhet se do t’u drejtohen demokratëve me të njëjtin mesazh edhe themelues të PD-së, edhe ish ministra të kohës së Berishës, por edhe drejtues të forumit rinor të kësaj partie.

LEXO EDHE:  Ta harrojnë se do të na ndalin dot në këtë luftë, këtu jemi dhe do të shohim, Rama replikë Bashës

Qëllimi është i qartë, që të jepet pasqyra se në atë sallë  ndodhen përfaqësuesit jo vetëm të atyre 200 mijë demokratëve që e braktisën PD-në këto zgjedhje, por edhe të atyre që janë të pakënaqur për mënyrën se si po denatyrohet ajo.

Duket se e vetmja enigmë e takimit do të jetë prania apo jo e Jozefina Topallit dhe e Genc Rulit. Të dy ata kanë qenë shumë të ashpër me mënyrën e sjelljes së Bashës duke bërë thirrje për nxjerrjen përdhunisht të tij dhe familjarëve të vet nga selia.

Por nëse Ruli duket se po i qëndron besnik mesazhit të tij për t’u larguar përfundimisht nga politika, Topalli megjithëse mbetet një kundërshtare e Bashës, duket se refuzon të bëjë kauzë të përbashkët me çdo lëvizje që nuk është miratuar më parë nga Berisha.