Mediat greke njoftuan para pak minutash se u zhbllokua në orët e mbrëmjes kolona ushtarake shqiptare që kishte si destinacion Rumaninë për të marrë pjesë në një stërvitje të NATO-s.

Kolona e cila ishte e përbërë nga 20 automjete dhe dy autobusë mbeti e bllokuar për gati pesë orë në Autostradën “Egnantia” pranë qytetit të Kozanit, në Greqinë Veriore, nga një grup shumë i madh simpatizantësh të Partisë Komuniste greke.

Sipas burimeve lokale greke komunistët grekë me flamuj në duar dhe parulla anti-NATO krijuan një zinxhir njerëzor duke mos lejuar kalimin e autokolonës ushtarake që kishte hyrë nga Shqipëria dhe po udhëtonte tranzit për në Rumani. Policia greke tha se do të përdorte forcën dhe drejtuesit e grupimit politik urdhëruan pas pesë orësh lirimin e rrugës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare konfirmoi vijimin e misionit nga ushtarakët shqiptarë. “I gjithë efektivi gëzon shëndet të plotë dhe është i shoqëruar nën masa sigurie nga autoritetet ushtarake dhe civile greke”, thuhet në një njoftim për shtyp të shpërndarë në mbrëmje.