Ngjarjet e fundit të ndodhura në përballjen e Real Madrid dhe Barcelonës për Supërkupën e Spanjës në “Camp Nou” kanë acaruar jashtë mase trajnerin Zinedine Zidane.

“Jam shumë i irrituar dhe jo vetëm unë, por të gjithë. Nuk dua të flas për arbitrat, por nëse shohim atë që ndodhi, e më pas ndëshkimin me 5 ndeshje të Cristiano Ronaldos, atëherë mund të themi se diçka nuk po shkon siç duhet. Kjo është e tepërt”, u shpreh traineri i Realit të Madridit.

“Nuk e di nëse dikush e ka personale me të, shpresoj që të mos jetë kjo. Gjithkush duhet të bëjë detyrën e tij. Por në fund, jam unë që duhet të bëj llogaritë me mungesën e tij për 5 ndeshje”, deklaroi më tej Zidane.

Ndërsa përsa i përket mundësive për një përmbysje nga Barcelona në ndeshjen e kthimit, Zidane shprehet :

“Gjithçka është e mundshme kur ekziston përballja me dy takime. Duhet të bëjmë lojën tonë. Barcelona është një skuadër e mirë dhe mund të na vërë në vështirësi në çdo moment. Por ne duhet të mendojmë të zhvillojmë një ndeshje të mirë, deri në minutën e fundit, dhe të përpiqemi ta fitojmë edhe ndeshjen e kthimit. Me siguri do të na pengojnë në këtë objektiv, ndaj na pret një ndeshje e vështirë, jo vetëm fizikisht. Sa i përket skuadrës dhe merkatos e kam thënë edhe më herët, jam i kënaqur me skuadrën që kam. Besoj se do të qëndrojnë që të gjithë, megjithatë, deri në datën 31 mund të ndodhin shumë gjëra”.

Fansat e “Los Blancos”-ve janë të indinjuar për faktin që kanë rënë viktima të gabimeve në gjykim. E për këtë arsye, në ndeshjen e kthimit të së mërkurës, në “Bernabeu” pritet të shohim një reagim vërtet të fuqishëm nga tifozët, që siç njoftojnë mediet spanjolle, është përgatitur për në minutën e 7 të ndeshjes.