Pas postimit të Ramës në Twitter ku shkruante se tanimë 17 çështje gjyqësore janë në proces nga “fabrika e shpifjeve” siç i quan ai akuzat e opozitës ndaj tij, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ish-deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabakut e cila për të disatën herë rithekson se nga ana e PD-së nuk do të ketë asnjë hap pas.

Përmes një postimi në facebook Tabaku shkruan se kush mendon se frikëson opozitën me gjyqe e presionin e gjykatës, sipas saj duhet ta dijë që ajo nuk thyhet.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut 

Asnjë hap pas!

Kush mendon se frikëson opozitën me gjyqe e presionin e gjykatës duhet ta dijë që ajo nuk thyhet. Kush mendon që do mbyllë gojën e opozitës për të fshehur të vërtetën, nuk e ka kuptuar që fundi i çdo tiranie është i keq. Opozita nuk I frikësohet askujt, aq më tepër atij që I frikësohet qytetarëve dhe fshihet në protesta.

Personalisht i qëndroj çdo akuze të drejtuar ndaj qeverisë. Nga inceneratorët e deri tek lojërat e fatit. Rilindja gjeti 890 pika të basteve dhe gjatë qeverisjes së saj ato shkuan 4200. Pika dhe kompani që zotëroheshin nga grupe kriminale për të cilat nuk heshtëm dje dhe nuk do të heshtim as në gjykatë.