Astrit Patozi, një nga themeluesit e Partisë Bindja Demokratike, ka treguar nëse Rudina Hajdari kishte për qëllim që të bëhej udhëheqësja e kësaj partie, fakt për të cilin u fol shumë nëpër media.

Në një intervistë në emision “Top Talk”, me gazetarin Denis Dyrnjaja, Patozi u përgjigj se Bindja Demokratike ka lindur me qëllimin që të mos jetë parti e liderit.

“Jo. Bindja Demokratike ka lindur me qëllimin e mirë që të jetë ndryshe nga të gjitha forcat e tjera politike, që të mos jetë parti e liderit. Ndryshe, ne nuk do të ekzistonim fare në tregun e ideve. Nuk mund të kishim kryetar përpara se të kishim partinë.

Ne duam të bëjmë të kundërtën e asaj që bëjnë partitë kryesore. Kam konsideratën më të lartë dhe vlerësimin maksimal për zonjën Hajdari. Ne mendojmë se e rëndësishme është ideja dhe qëndrimi, jo njeriu.

Kemi pasur dakordësi shumë të madhe për nevojën që ka Shqipëria për një politikë të re. Ne e konsiderojmë gabim politik djegien e mandateve. Kemi shumë qëndrime të përbashkëta, por ky projekt politik ka nevojë për dëshirë dhe çdo njeri bën llogaritë e veta. Zonja Hajdari është e ftuar dhe do të ketë vendin e saj te Bindja Demokratike. Ajo ka qenë frymëzuese e idesë që Shqipëria ka nevojë që forcat politike të shkojnë në zgjedhje”, u shpreh Patozi.

Edhe vetë Hajdari, ditën e djeshme, ndërsa i uroi suksese, theksoi se nuk kishte asnjë lidhje me partinë e re.