Vijon anulimi i tenderave për ndërtimin e “Unazës së Madhe”. Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi të anulojë një tjetër procedurë tenderuese për ndërtimin e kësaj vepre. Bëhet fjalë për mbikëqyrjen e punimeve në lotin 2 të këtij segmenti, një tender me vlerë 10.7 milionë lekë. Sipas ARRSH-së, arsyet e anulimit lidhen me faktin se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk ka arritur të marrë minimumin e pikëve për propozimin teknik, ndërsa nga ana tjetër, edhe Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur anulimin e procedurës. Sipas dokumenteve të tenderit, mësohet se për këtë procedurë tenderuese vetë kompanitë pjesëmarrëse në garë kanë depozituar 2 ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Ankesa e parë është depozituar nga kompania “A&E Engineering” sh.p.k në datën 27 dhjetor 2018, ndërsa në datën 31.12.2018 edhe kompania ‘IKN’ ka vendosur t’i drejtohet KPP-së për të njëjtin tender të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

 

 

 

 

Vendimi
Me vendimet për anulimin nga ana e KPP-së konfirmohet problematika që ka ekzistuar edhe në këtë tender. Ndërtimi i “Unazës së Madhe” u përfshi në skandalin e kompanisë “DH Albania”, e cila arriti të shpallej fituese e 18 mln eurove me dokumente të falsifikuara, ndërkohë që projekti është kundërshtuar gjerësisht nga banorët që preken nga ndërtimi, të cilët vijojnë prej muajsh protestat e pandërprera. Vetëm dy muaj më parë, në 31 janar të këtij viti, kryetarja e ARRSH, Sonila Qato në nja dalje për mediat njoftoi se janë skualifikuar të gjitha ofertat e paraqitura për lotin e parë e të “Unazës së Re”. Qato u shpreh se ofertat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e kërkuara, ndërsa punimet në lotet e tjera të projektit do të vijojnë normalisht. “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u ka ofruar të gjitha kompanive skualifikimin e ofertave të paraqitura, pasi nuk përputhen me kriteret. Do i paraqes ministres Balluku një proces transparent. Kompanitë janë partnere të ARRSH-së dhe dialogu dhe transparenca do jetë parësore. Kompanitë kanë të drejtën të ankimojnë. Në lotët e tjera të projektit do të vijojnë punimet dhe shpronësimet, pasi ky projekt do të realizohet”, – tha Qato për mediat. Kujtojmë se pas zbulimit të skandalit nga emisioni “Të Paekspozuarit” në “News 24”, ARRSH pezulloi ndërtimin në lotin e parë tek “Unaza e Re”. Ky falsifikim e ka ndihmuar kompaninë “Dunwell Haberman” të fitonte lotin prej 18 milionë euro të tenderit për rindërtimin e “Unazës së Madhe”, duke krijuar imazhin e rremë se kjo është një kompani 20-vejçare dhe me eksperiencë në projektet e infrastrukturës. E vërteta është se kjo kompani është themeluar në 25 qershor 2018, vetëm dy muaj përpara zhvillimit të tenderit.