Basha ka reaguar përsa i përket situatës së parkut që po tentohet të prishet dhe në të të ndërtohet një komplek pallatesh.

Pasi Basha ka qenë tepër i heshtur pas zgjedhjeve sot ka vendosur të bëjë një denoncim nga “Facebook” i tij duke akuzuar përmes një postimi kryebashkiakun aktual Erion Veliaj për shkatërrimin e njërit prej parqeve që Basha vetë e kishte ndërtuar gjatë kohës së tij në krye të Bashkisë. 

Basha shprehet se ky betonizim do të vijë në formë favori nga ana Veliajt për një nga klientët e Ramës, Besnik Sulaj-t.

Statusi i Bashës:

“Lulishtja pranë parkut të autobuzave ishte një nga investimet e mia si kryebashkiak në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës. Erjon Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës.

Qytetarëve të revoltuar ata iu përgjigjën dje me dhunën e policisë. Edhe më i rëndë qe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nga mediat kryesore të vendit të kontrolluara nga oligarkia, të cilat e fshehën protestën dhe dhunën e policisë.

Ndërkohë, Shqipëria po përjeton këto ditë mungesë dritash dhe uji sepse paratë publike u përdorën për të manipuluar votën dhe jo për të blerë energji për njerëzit.

Pushteti oligarkik herët a vonë degjeneron në pushtet të dhunës dhe të errësirës. Përballja me të është sot sfida kryesore e opozitës dhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të ndalur rrënimin e qyteteve, të ekonomisë dhe të ardhmes tonë.”