Për rastin e paprecedentë të dhunës ndaj mjekut të Urgjencës së stafit të QSUT-së ka reaguar dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Përmes një postimi në facebook Manastirliu ka deklaruar se dhuna ndaj mjekëve përbbë një akt barbar dhe si i i tillë autorët duhet të marrin ndëshkimin maksimal.

Ndër të tjera në reagimin e saj Manastirliu është shprehur se akte të tilla nuk mund të tolerohen, prandaj dhe sipas saj është propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.

Reagimi i plotë i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

Në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dënoj me forcë aktin e neveritshëm, të agresionit të dhunshëm ndaj mjekut infeksionist G.S, ditën e djeshme në spitalin infektiv në QSUT.
Eshtë barbari të sulmosh një profesionist të shëndetit, për më tepër në kushtet kur është duke ofruar me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për qytetarët.
Sulme të tilla ndaj mjekëve, infermierëve, apo cilitdo që me vetëmohim dhe sakrificë, punon përditë, në shërbim të shëndetit të qytetarëve, meritojnë ndëshkimin maksimal që lejon ligji.
Inkurajoj organet e drejtësisë të hetojnë me prioritet maksimal këtë ngjarje të ndodhur brenda mjediseve të një spitali dhe të procedojnë duke dhënë një ndëshkim shembullor për agresorët, që duke vënë dorë mbi një mjek, shkelin jo vetëm ligjin, por edhe çdo normë morali dhe etike, si dhe çdo kod sjelljeje.
Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.
Do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet. Patjetër që do të dëgjohet zëri i profesionistëve. Por unë besoj se kjo nismë është e rëndësishme për të garantuar respektimin e dinjitetit të mjekëve, siç ata e meritojnë.