Mesditën e djeshme një akt i paprecedentë ka ndodhur, ku një person i paidentifikuar ka ushtruar dhunë ndaj një mjeku të stafit mjekësor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Bëhet fjalë për mjekun e Urgjencës Gentian Stroni, i cili ka qenë në krye të detyrës, kur ka rënë pre e dhunës nga një person i papërgjegjshëm.

Ndërkaq në lidhje me këtë rast të paprecedentë ka reaguar edhe QSUT, ku ka dënuar me ashpërsi dhunën ndaj mjekut, e duke kërkuar dënim maksimal për autorin.

Njoftimi i QSUT

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar të dielën në mesditë nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekut të rojes në Urgjencën e Spitalit Infektiv.

Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente.

Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës.

Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar mbrëmë ndaj mjekut infeksionist dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autori të marrë dënimin e merituar.

Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.