E ftuar në emisionin “Top Story”, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur për zhvillimet më të fundit në lidhje me takimin e përbashkët të partive opozitare, me qëllim bashkimin në një Front duke kërkuar largimin e Ramës, si dhe për çështjen e shumëpërfolur të ditëve të fundit, dosjen “Habilaj”.

Duke i bërë apel ndërkombëtarëve që të reagojnë në lidhje me situatën në vend ,liderja e LSI, Kryemadhi u shpreh se dosja “Habilaj” është vetëm një pikë uji në oqeanin e zullumit ku është futur shteti shqiptar.

“Në oqeanin e zullumit ku është futur shteti shqiptar dhe nisi të dalë kjo si një pikë uji. Duhet të shprehen edhe ndërkombëtarët. Nga një rrezik kombëtar, kjo situatë po kthehet në një rrezik rajonal”, tha Kryemadhi.

Më tej ajo theksoi se më shumë se sa emrat, problem është fenomeni.

Ndërsa kur u pyet nga analistët e ftuar në emision se pse LSI nuk doli nga koalicioni me Partinë Socialiste për gjatë 4 viteve bashkëqeverisje, Kryemadhi deklaroi se: “Personalisht kam qenë kundër vazhdimit të bashkëqeverisjes, që në momentin që u bë deklarata e Manjanit sa i përket kanabizimit përmes ushtrisë. Qëndrimi që ka mbajtur LSI në atë kohë, ka qenë për faktin që ishte reforma në drejtësi në fokus të politikës shqiptare dhe çdo lëvizje do të quhej si mungesë dëshire për reformën në drejtësi”.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook