Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që shpëtoi nga burgu përjetë Dritan Dajtin, një tjetër hap është hedhur nga akuza.

Por Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë të cilës i kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe rikthimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili akuzohet për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në 2009 në Durrës.

Pas 10 vitesh përballje me drejtësinë Dajti u dënua me 25 vite burgim për shkak se Apeli i Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Pas vendimit që u konsiderua skandal prokuroria nisi hetimet për 3 nga 5 gjyqtarët e çështjes “Dajti”, me vendim gjykate u ushtrua kontroll në banesat e gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli.

Në banesën e Daminit u gjetën 17 mijë euro dhe disa fishekë, i cili pretendon se i përkasin të birit dhe i është drejtuar gjykatës për kthimin e tyre. Prokuroria ka sekuestruar telefonat celularë të 3 gjyqtarëve dhe i ka dërguar ato për ekspertizë me qëllim zbulimin e kontakteve që mund të kenë patur ata me persona të njohur me Dajtin.

Prokuroria gjithashtu ka sekuestruar edhe librat e hyrje-daljeve në paraburgim, duke listuar emrat e personave që janë takuar me Dritan Dajtin, të cilët pritet të merren në pyetje. Dajti ia doli të hiqte nga supet burgimin e përjetshëm dhe përfundimiisht u dënua me 25 vite burgim, për atë që u konsiderua si masakra e Durrësit.