\

Në kërkesën për heqjen e imunitetit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Prokuroria e Përgjithshme rendit dy akuza.

E para është “Trafiku i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa akuza e dytë është Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Dënimi për akuzën e trafikut të narkotikëve është jo më pak se 15 vjet sipas Kodit Penal.

Neni 283/a – Trafikimi i narkotikëve
(Shtuar me ligjin nr.8279, 15.1.1998, neni 2;
Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 64)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Akuza e dytë është Korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Dënimi nëse provohet kjo akuzë, është më i ulët.

Neni 260 – Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 23)
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.

Rrëzimi nga majat më të larta të pushtetit në qelitë e burgut do të ishte një prej rënieve më të forta në këto 27 vjet.

Nëse arrestimi i Tahirit ndodh vërtet, ish Ministrit të Brendshëm i është djegur karta e politizimit të çështjes, pasi socialistët janë të vetëm në pushtet. 

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook