Është mbyllur pa dakordësi mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku u diskutua për heqjen ose jo të imunitetit të Saimir Tahirit, pasi Prokuroria kërkoi arrestimin e këtij të fundit, si i implikuar në dosjen “Habilaj”.

Mësohet se mazhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer replika të forta duke dalë në fund me dy raporte të ndryshme për Kuvendin.

“Janë në dy drejtime, kërkesa e opozitës që të firmoset për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit dhe ajo e pozitës që është e mendimit që Prokuroria të ushtrojë kontroll në banesën e Tahirit duke mos autorizuar arrestimin e tij që të firmosë për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij”, tha në një prononcim për mediat deputeti i LSI-së, Nasip Naço.

Ishte pikërisht përfaqësuesi i LSI-së që konfirmoi se do të votonte pro heqjes së imunitetit të Tahirit, duke vënë balancat në komisionin e përbërë nga 10 anëtarë.

Pas tij foli edhe anëtari tjetër i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se ky shtet është kapur nga mafia dhe nuk pranon kurrsesi arrestimin e Tahirit.

Demokratët mbështetën kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Tahirit, për t’i hapur më pas rrugë arrestimit të tij, ndërkohë që mazhoranca i doli në mbrojtje ish-ministrit të Brendshëm duke mos i marrë për bazë provat e organit të akuzës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook