Pasi është zyrtarizuar kandidatura e Astrit Patozit për kreun e ri të Partisë Demokratike dhe paraqitjes ë 6 kërkesave kundrejt Lulzim Bashës, procesi tashmë ka hyrë në një fazë negociatash.

Informata pranë PD-së bëjnë me dije se sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, është caktuar si negociatori mes dyshes Basha-Patozi dhe për të vendosur rregullat e qarta të garës.

Pasi është mbyllur zyrtarisht afati për të garuar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, hapi tjetër është mbledhja e Kryesisë së PD-së. Kjo strukturë pritet të miratojë ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.

Tre kandidatët do të kenë përfaqësuesit e tyre për të organizuar dhe monitoruar procesin. Sipas nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike, Komisioni i Organizimit përbëhet nga 7 anëtarë dhe 2 ndihmësa.

“1- Kryesia zgjedh një Komision të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, të përbërë nga shtatë anëtarë titullarë dhe dy ndihmësa.

2- Komisioni ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar e territorial dhe siguron rregullsinë e tyre. Ai ndërhyn në zgjidhjen e çështjeve elektorale në degët e partisë në përputhje me aktet e nxjerra për këtë qëllim. Ai përgjigjet përpara Kryesisë së Partisë”, thuhet në statutin e PD-së.

ANËTARËSIMET

Astrit Patozi kërkoi që të mos ketë anëtarësime të reja në PD dy ditë më parë, por vec ata që janë pranuar deri në 1 qershor 2017.

“Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll database-n e anëtarësisë, duke garantuar rregullin e kahershëm në PD që të gjitha anëtarësimet e 2 muajve të fundit (nga data 1 qershor 2017), si dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statutin (pa një vendim të mbledhjes së seksionit apo kryesisë së degës apo kryesisë qendrore, Neni 13 i Statutit) të mos kenë të drejtën e votës në këto zgjedhje.

Listat e zgjedhësve duhet t’u jepen kandidatëve, jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës. Ato duhet të publikohen e afishohen në mënyrë elektronike në uebin e kryesisë së degës e në hard copy në ambiente publike të selisë së degës së PD”, u shpreh Patozi.