Pas mbylljes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe shtyrjes së saj për ditën e nesërme, ka reaguar liderja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Teksa ka folur me tone të ashpra duke shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Rama me anë të një deklarate për shtyp nga selia e LSI, Kryemadhi deklaroi se kreu i Qeverisë sot “gëlltiti” çorbën e prishur,

Duke iu referuar mbledhjes së sotme të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, kryetarja e LSI-së theksoi se kjo mbledhje duhet të ishte më e shkurtra në histori, dhe e cilësoi rastin si të paprecedentë.

“Kryeministri dhe mazhoranca sot tregoi përfundimisht qartë shkallën e inkriminimit pa kthim të përfshirjes dhe mbështetjes së tragjedisë së drogës që po përjeton populli shqiptar.

Kryeministri dhe mazhoranca humbi sot mundësinë e fundit për të treguar vullnet që drejtësia të bëjë punën e saj. Cilido qoftë votimi i saj nesër kjo nuk ka rëndësi. Të gjithë shqiptarët u bënë dëshmitarë të qëndrimit të paprecedent duke penguar zbardhjen e një veprimtarie kriminale edhe me dimension ndërkombëtar.

Mbledhja e sotme e cila kishte në shqyrtim imunitetin e mandatin që lidhej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe të armëve duhet të ishte mbledhja më e shkurtëer në historinë e parlamentarizmit, pasi lidhet me veprimtarinë më të rëndë kriminale që ky komision ka marrë në shqyrtim.

Është fare e qartë nga sot që ky kryeministër e mazhoranca e tij e kanë gëlltitur Kusinë e Çorbës së prishur deri në lugën e fundit.

Ky kryeministër dhe Haki Çako vazhdojnë akoma të jenë në detyrë si garantë të trafikut të drogës pasi nga dje dhe sot janë kapur 3.5 ton drogë me vlerën që kalon 35 milion euro.

Çdo ditë e vazhdimit të tyre në krye të qeverisë e policisë është një ditë e bardhë për trafikantët dhe ditë e zezë për shqiptarët.

Ju bëj thirrje maxhorancës dhe kryeministrit të heqin dorë nga sulmet, presionet dhe shantazhet politike ndaj drejtësisë”, deklaroi Kryemadhi.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook