Pas kërkesës së Prokurorisë pë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar për herë të parë kryeministri i vendit Edi Rama.

Përmes një statusi në faqen e tij në “Facebook”, Rama uron që Saimir Tahiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh.

Ndër të tjera Rama shkruan se të vërtetën e gjithë kësaj historie kërkon ta mësojë vetëm nga drejtësia.

Statusi i plotë i kryeministrit Rama
Kur them dua një vend me drejtësi kuptoj vetëm drejtësi! Kur them dua të vërtetën nga drejtësia s’e bëj si ata që veç janë tallur dhe tallen me drejtësinë prej 27 vjetësh rresht! E besoj këtë fjalë megjithë mend dhe luftoj për kuptimin e plotë të kësaj fjale, megjithë zemër. Drejtësi për të gjithë dhe drejtësi mbi këdo.

Uroj që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh. Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook