Paraditen e djeshme mediat spanjolle bënë të ditur lajmin se grupi hetimor detar Air Accidents Investigation Branch (AAIB), nisën kërkimet për gjurmë të aeroplanit të zhdukur me të cilin udhëtonte ylli argjentinas, Emiliano Sala.

Ndërsa mjaftuan disa orë që më pas prestigjiozja “Sky Sport News” të raportonte lajmin e fundit për gjetjen e mbetjeve të aeroplanit Piper Malibu, në fund të Kanalit të madh Anglez.

Ndërkaq ditën e sotme një tjetër lajm është raportuar së fundmi nga mediat nëpërmjet një deklarate të dhënë nga David Mearns, marinsi detar që ishte në krye të operacionit të kërkimit nënujor.

“Tragjikisht, nga pamjet e kapura nga kamera ROV, një trup është i dukshëm mes rrënojave. AAIB po shqyrton hapat e ardhshme, në konsultim me familjen e pilotit dhe futbollistit, si dhe policinë”, thuhej ndër të tjera në raportimin e mediave, bazuar në deklaratën e Mearns.