Ministrja akoma në detyrë e integrimit Europian, Klajda Gjosha ka reaguar pas deklaratave të Ramës në lidhje me industrinë e riciklimit dhe importin e mbetjeve.

Ministrja i bën thirrje Ramës që mos të fshihet më pas BE-së dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve të cilët kanë folur për këtë çështje.

Statusi në “Facebook” i Klajda Gjosha
Dëgjoj shpesh përfaqësues të politikës që kur duan t’i ikin përgjegjësisë për iniciativa të cilat bien ndesh me vullnetin e qytetarëve, përdorin shprehjen “thjesht kemi përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Europian”!

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ligjin për importin e mbetjeve, i cili ka ardhur sërish në vëmendje. Se pari, Shqipëria është ende një vend në zhvillim, ku jo çdo legjislacion i BE-së i shkon për shtat në këto momente standardeve dhe kushteve në të cilat ne ndodhemi dhe aq më tepër tolerancës ndaj riciklimit të mbetjeve të huaja.

Është më mirë të tregojmë që dimë të riciklojmë edhe këto mbetjet tona që në zona të tëra të Shqipërisë i gjen edhe pranë qendrave të banuara, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Së dyti, duhet të marrë fund fshehja pas BE-së dhe duhet të fillojmë t’i japim fund alibive tona për interesa të ngushta. Dhe nëse vërtet duam t’i ngjasojmë sado pak Europës duhet të dëgjojmë zërin e qytetarëve, që pikërisht për këtë çështje foli me një zë më të lartë se kurrë!