Largimi i të rinjve, tendenca e çifteve për të bërë më pak fëmijë, pasiguria për të ardhmen, të ardhurat e pakta të disponueshme, ndryshimi i stilit të jetesës po e japin gjithnjë e më shumë efektin e tyre në një prej treguesve demografikë më të rëndësishëm, atë të lindjeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lindjeve në tremujorin e parë të vitit ishte 5,986, me një rënie prej 10% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se ky është tremujori me numrin më të ulët të lindjeve, i pas viteve ’90 (shiko grafikun: “Lindjet sipas tremujorëve”).

Nga 12 qarqe të vendit, 9 prej tyre pësuan rënie të numrit të lindjeve, në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rëniet më të mëdha në përqindje të lindjeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan në qarkun e Gjirokastrës me 21,8 % dhe qarkun e Shkodrës me 19,4 %. Një rritje në përqindje të lindjeve u regjistrua në qarqet Dibër me 16,1 %, Korçë me 1,3 % dhe Kukës me 0,4 % (shiko tabelën: “Lindjet sipas Qarqeve, Tregues Tremujorë”).
Në raport me popullsinë, numri më i lartë i lindjeve në tremujorin e parë ishte në Dibër, me 2.97 lindje për 1000 banorë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në shifrat e INSTAT për popullsinë sipas qarqeve. Në vend të dytë është Kukësi me 2.96 lindje për 1000 banorë. Më pas renditet Tirana, që e ka këtë tregues në 2.22 dhe Durrësi (2.18).
Qarku me numrin më të ulët të lindjeve në raport me popullsinë është Vlora, që në tremujorin e parë shënoi 1.54 lindje për 1000 banorë, ndërsa para saj renditet Gjirokastra (1.58), dhe Shkodra (1.8)- shiko grafikun: “Lindjet për 1000 banorë, T I 2019”.