Pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, emri i të cilit është përfshirë në dosjen “Habilaj” nga drejtësia italiane, ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” ku foli për akuzat në adresë të tij, të shumta kanë qenë reagimet në opinionin publik.

Nuk kanë mbetur pa reaguar edhe studentët e Shkencave Politike, një prej tyre është dhe Klodi Hoxha, e cila njëkohësisht është aktiviste e Organizatës Politike, e cila përfaqëson një grup studentësh dhe qytetarësh që synojnë dhe kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe kauzat e drejta të njerëzve të thjeshtë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, ajo shkruan se lotët e Tahirit në emisionin “Opinion” mbrëmjen e djeshme i kujtojnë të gjithë ata qytetarë që u arrestuan për lidhjet e dritave, të gjithë ata që u tërhoqën për leckash kur protestuan për problemet e tyre të përditshme.

“E di pse vlejnë lotët e tu më shumë se të popullit? Sepse ju keni mundësinë të dilni publikisht dhe ai invalidi që shteti yt e rras brenda për lidhje të paligjshme nuk e ka këtë shans, maksimumi do e shohin xhandarët e burgut duke u përpëlitur se ka lënë fëmijët në errësirë”, shkruan ndër të tjera aktivistja e Organizatës Politike.

Statusi i plotë
“Lotët e Tahirit sonte më kujtojnë gjithë ata që u arrestuan për lidhjen e dritave, gjithë ata të rinj që u kapën me një cigare hashash, gjithë ata punëtorë që arrestoheshin në vend tê pronarit që po ndërtonte pa leje, gjithë ata qê u tërhoqën leckash kur protestuan për kauza të drejta dhe gjithë ata që janë vetëvrarë në burg sepse e drejta nuk u doli kurrë.
E di pse vlejnë lotët e tu më shumë se të popullit? Sepse ju keni mundësinë të dilni publikisht dhe ai invalidi që shteti yt e rras brenda për lidhje të paligjshme nuk e ka këtë shans, maksimumi do e shohin xhandarët e burgut duke u përpëlitur se ka lënë fëmijët në errësirë. Djali juaj nuk do jetë kurrë në ato kushte megjithëse mesazhi juaj ishte i qartê sonte teksa e pëmende disa herë: Mos ma prekni tim bir dhe unë nuk do nxjerr emra.
Uroj fort që arrestimi yt të jetë domino për gjithë klasën politike në vend dhe po e dimë që partia të bëri kurban, por ja bëre vetes dhe askujt nuk po i plas rrota! 
Megjithatë prapë ti zoti Tahiri je thjesht një hallkë e vogël në gjithë këtë klasë politike të inkriminuar, me opozitë dhe qeveri pa përjashtim. 
P.S: Qoftë Erion Veliaj i radhës pas teje o Sajmir!”

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook