Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, ka reaguar pas arrestimit të Bledar Ibrahimit, 28-vjeccarit i kërkuar nga autoritetet italiane, nën dyshimin e veprave terroriste.

Në një postim në facebook, Salvini, ndër të tjera ka falënderuar policinë shqiptare për arrestimin, ndërsa shton se nuk ka lëshim ndaj kriminelëve.

Postimi i Mateo Salvinit:

Bledar Ibrahimi 28 vjeç u arrestua në Shqipëri, pasi kërkohej për terrorizëm ndërkombëtar.

Në shtëpinë e tij në Milano janë gjetur pajisje kompjuterike, gjurmë të kontakteve me fundamentalistët islamikë dhe dokumente e video që lavdëronin xhihadin islamik.

Hetuesit dhe policia jonë ka bërë një punë të shkëlqyer. Gjithashtu falënderoj policinë e Tiranës për punën mjaft të mirë.

Asnjë lëshim ndaj kriminelëve dhe fanatikëve të cilët na sjellin luftë në shtëpinë tonë.